Robotika nuk është thjesht një fushë studimi, por një derë e hapur drejt të ardhmes së teknologjisë dhe inovacionit. Këtë e dëshmoi edhe takimi i realizuar me maturantët e gjimnazit Elite, ku u krijua një atmosferë energjike dhe frymëzuese, e mbushur me kureshtje, kreativitet dhe ide të reja.
Gjatë aktivitetit, u theksua rëndësia e robotikës si një fushë kyçe në zhvillimin teknologjik dhe inovacion. Një moment kulmor i prezantimit ishte demonstrimi praktik nga studenti ynë, Jusufi, i cili ndau eksperiencën e tij për ndërtimin e robotit në STEAM Fab Lab. Ky shembull praktik ilustroi fuqinë e teorisë kur zbatohet në praktikë, duke ngjallur frymëzim dhe reflektim te të rinjtë mbi mundësitë e pakufishme që ofron kjo fushë.
Ata treguan kuriozitet dhe angazhim të madh, duke marrë pjesë në diskutime dhe duke bërë pyetje mbi aplikimin e robotikës në projekte praktike dhe zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe.
Ky prezantim i suksesshëm dëshmon rëndësinë e lidhjes së edukimit me praktikën dhe mundësitë që robotika sjell për të frymëzuar brezin e ardhshëm të inovatorëve.

