“Mësojmë përmes praktikës” – Vazhdon seria e aktiviteteve me maturantët

Seria e aktiviteteve praktike me maturantët në Fakultetin e Shkencave Mjekësore vijon me një tjetër eksperiencë interesante, këtë herë në bashkëpunim me pedagogët e fushës së Infermierisë. Nën moton “Mësojmë përmes praktikës”, maturantët patën mundësinë të përjetojnë nga afër disa nga aspektet praktike të profesionit infermieror.

Gjatë aktivitetit, nën udhëzimin e pedagogëve të infermierisë, maturantët praktikuan disa procedura të thjeshta infermierore, duke u njohur në mënyrë konkrete me disa nga veprimet bazë që realizohen në kujdesin ndaj pacientit. Përmes demonstrimeve dhe ushtrimeve praktike, ata patën mundësinë të përfshihen aktivisht në procesin e të mësuarit dhe të kuptojnë më mirë rolin dhe përgjegjësitë e profesionit të infermierit.

Ky aktivitet kishte për qëllim t’i afrojë të rinjtë me profesionet e shkencave mjekësore dhe t’u ofrojë një eksperiencë reale të të mësuarit përmes praktikës, duke i ndihmuar ata të krijojnë një ide më të qartë për zgjedhjet e tyre të ardhshme akademike dhe profesionale.

Saga e aktiviteteve praktike me maturantët vijon, duke sjellë edhe eksperienca të tjera interaktive dhe mundësi për të zbuluar nga afër profesionet e fushës së shëndetit.