Universiteti Barleti organizoi aktivitetin “CREATHON – Open Day & Challenges”, një ditë e dedikuar krijimtarisë, dizajnit dhe arkitekturës, duke mirëpritur maturantë, studentë dhe të rinj të apasionuar pas këtyre fushave.
Aktiviteti krijoi një hapësirë interaktive ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me procesin kreativ, projektimin dhe zhvillimet më të fundit në arkitekturë dhe dizajn. Përmes aktiviteteve dinamike dhe bashkëpunuese, ata u përfshinë në eksperienca që reflektojnë realitetin e profesionit dhe sfidat e tij.
Gjatë ditës u zhvilluan sesione informuese dhe këshillimi për programet e studimit në Arkitekturë dhe Dizajn, si dhe vizita në laboratorë dhe studio projektimi, ku pjesëmarrësit u njohën me mjediset praktike të formimit akademik. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte prezantimi i projekteve dhe punimeve studentore, të cilat dëshmuan nivelin e kreativitetit dhe aftësive të zhvilluara në universitet.
Gjithashtu, të rinjtë patën mundësinë të bashkëbisedojnë me pedagogë dhe profesionistë të fushës, duke marrë orientim të drejtpërdrejtë për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.
CREATHON shërbeu si një platformë frymëzuese për të rinjtë, duke i afruar me botën e krijimit dhe duke theksuar mundësitë që ofron Universiteti Barleti për formimin e profesionistëve të ardhshëm në arkitekturë dhe dizajn.

