Të mësosh infermierinë përmes praktikës: një eksperiencë interaktive në Universitetin Barleti

Cila është mënyra më e mirë për të mësuar infermierinë? Përgjigjja është e thjeshtë: përmes praktikës.

Në një profesion ku çdo vendim lidhet drejtpërdrejt me shëndetin dhe jetën e pacientit, njohuritë teorike janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë. Ato duhet të shoqërohen me ushtrime praktike, simulime reale dhe përfshirje aktive të studentëve në procesin e të mësuarit.

Nisur nga kjo filozofi, në laboratorët didaktikë, studentëve të infermierisë u ofrohet mundësia që orët mësimore të jenë sa më interaktive dhe të orientuara drejt praktikës. Në këto ambiente, ata zhvillojnë aftësi konkrete profesionale, duke përforcuar njohuritë teorike dhe duke fituar siguri në veprimet e tyre.

Këtë herë, eksperienca ishte edhe më e veçantë. Studentët tanë ndanë njohuritë dhe aftësitë e tyre me maturantë që vizituan ambientet universitare. Përmes demonstrimeve praktike dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, ata u bënë jo vetëm përfitues, por edhe transmetues të dijes.

Për maturantët, kjo ishte një mundësi për të parë nga afër profesionin që shumë prej tyre ëndërrojnë të ndjekin. Ndërsa për studentët, ishte një hap më tej në rrugëtimin e tyre profesional, duke zhvilluar aftësi komunikimi, bashkëpunimi dhe lidershipi.

Kjo qasje tregon qartë se të mësuarit nuk është një proces pasiv, por një përvojë e gjallë, që ndërtohet përmes ndërveprimit, praktikës dhe ndarjes së njohurive.

Universiteti Barleti – Universitet aplikativ dhe sipërmarrës, me studentin në qendër.