Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe kërkimore, u zhvillua një leksion i hapur me studentët, gjatë të cilit u prezantua projekti kërkimor ku Universiteti Barleti është shpallur fitues:
“Indeksi i Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme: Aplikimi i tij në Shqipëri”.
Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Evda Vevecka, e cila realizoi prezantimin në Laboratorin e Fizioterapisë, duke theksuar rëndësinë e kërkimit shkencor në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve në fazat e hershme të jetës.
Projekti synon të analizojë dhe të përshtasë Indeksin e Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme në kontekstin shqiptar, duke ofruar të dhëna të vlefshme për politikat shëndetësore, edukative dhe sociale, si dhe për profesionistët e fushës së shëndetit dhe shkencave mjekësore.
Ky është një projekt kërkimor në fushën e shëndetit dhe shkencave mjekësore, i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), në kuadër të Projekteve të Kërkimit dhe Zhvillimit 2025.
Universiteti Barleti vijon të forcojë rolin e tij si një institucion aktiv në kërkimin shkencor dhe në përgatitjen e profesionistëve të rinj, duke i përfshirë studentët drejtpërdrejt në projekte me ndikim real në shoqëri.




